Kur paraja s’të kryen punë: Kina dënon një miliarder me 18 vite burgim

Një miliarder i njohur kinez është dënuar me 18 vite burgim. Ky është vendimi më i ri në një varg dënimesh kundër shefave të famshëm të korporatave në Kinë.
Sun Dawu e udhëheq njërën prej bizneseve më të mëdha bujqësore në provincën veriore kineze, Hebei. Ai në të kaluarën ka folur për të drejtat e njeriut dhe për tema të ndjeshme politike,
Ai u shpall fajtor për “futje në grindje dhe nxitje të trazirave”, akuzë që shpesh përdoret kundër aktivistëve.
Në mesin e akuzave të tjera kundër tij ishin edhe përvetësimi ilegal i tokave, grumbullimi i një grupi për t’i sulmuar agjencitë shtetërore dhe pengimi i punëtorëve qeveritarë nga kryerja e detyrave zyrtare. Përpos dënimit me burgim, Sun u ndëshkua edhe me 3.1 milionë juanë apo rreth 479.000 dollarë.
Raportohet se ai ishte arrestuar vitin e kaluar, bashkë me 20 familjarë dhe bashkëpunëtorë biznesi, për shkak të një mosmarrëveshjeje me një fermë të menaxhuar nga shteti.
Në atë kohë, miliarderi kishte thënë se dhjetëra punëtorë të tij ishin lënduar në një incident me policinë, që kishte ndodhur për këtë mosmarrëveshje.
Thuhet se Sun është i afërt me disa disidentë të njohur politikë kinezë dhe në të kaluarën i ka kritikuar politikat rurale të qeverisë.
Ai ishte në mesin e pak figurave që haptazi e kishin akuzuar qeverinë për fshehjen e përhapjes së gripin afrikan të derrit, që i kishte prekur fermat e tij në vitin 2019.