14:03 / E Hënë, 18 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kur Radosavljeviç fotografohej para shtëpisë së Adem Jasharit

Goran Radosavljeviç, i njohur me nofkën “Guri”, i lindur në vitin 1957 në Arangjelovac të Serbisë, që me vendim të veçantë ishte dërguar në Kosovë për të shuar rezistencën e armatosur të UÇK-së në fillet e para të organizimit, po kërkohet tani nga kongresmenët amerikan që të arrestohet dhe të ekstradohet në ShBA si i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Indeksonline kishte raportuar për këtë person një vit më parë ku i njëjti deklarohej dhe fotografohej pas maskarave dhe sulmeve serbe në Kosovë.

Në një foto ai shihet para shtëpisë së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz të Drenicës ndërsa në një foto tjetër pas sulmit në Gllogjan të Dukagjinit me 24 mars të vitit 1998.

(Foto e realizuar para shtëpisë së familjes legjendare të Adem Jasharit pas masakrës së tyre)

Krimineli Goran Radosavljeviç, është ai që kishte udhëhequr ekspeditat serbe kundër familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, ku ra heroikisht komandanti Adem Jashari dhe u masakruan afër 60 anëtarë të familjes së tij.

(Foto, pas sulmit në Gllogjan, 24 Mars, 1998)

Emri i Goran Radosavljeviçit figuron në shumë dokumente sekrete të Serbisë edhe si udhëheqës i masakrës së Reçakut më 15 janar 1998, ku u masakruan afër 50 shqiptarë të paarmatosur, por edhe si udhëheqës i shumë sulmeve në Rrafshin e Dukagjinit./Indeksonline/