10:41 / E Shtunë, 10 Gusht 2019 / indeksADMonline

Kurban Bajrami dhe plazhi, shqiptarët e Kosovës ia mësyjnë Shqipërisë

Festa e Kurban Bajramit ka sjellë fluks në pikën e kalimit kufitar të Morinës që në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Si rrallë herë mijëra qytetarë të Kosovës, kanë zgjedhur këtë vit që festën e Kurban Bajramit, ta kalojnë në bregdetin shqiptar, por edhe për të pushuar në destinacionet e tyre të preferuara.

Duke u ndalur te shifrat, bëhet e ditur se që nga ora 05:00 e mëngjesit të kësaj të shtunë kanë hyrë 2463 mjete me 12486 shtetas.

Përballë këtij fluksi policia kufitare e Morinës ka ngritur traun e doganës duke operuar me procedurë të përshpejtuar.

Ndërkohë fluks të lartë pati edhe në hyrje për në Kosovë.

Ndryshe nga Morina, që operon me procedurë të përshpejtuar, dogana e Kosovës, po punon me procedurë standarde të verifikimit të dokumenteve, duke sjellë në jo pak raste vonesa dhe radhë të gjata, sidomos gjatë mbrëmjes, kohë e kthimit të kosovarëve nga bregdeti shqiptar.