13:15 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Kurdët s’kanë nga t’ia mbajnë, kërkojnë ndihmën e Izraelit

Operacioni antiterrorist i Turqisë në Sirinë Verilindore për të pastruar zonën nga terroristët dhe për të garantuar kthimin e sigurt të miliona refugjatëve, ka shkaktuar reagime të fuqishme në Izrael.

Gazeta izraelite “The Times of Israel” raportoi se komandanti i ushtarëve të YPG-së ka folur për një radio izraelite të enjten e kaluar, duke kërkuar ndihmë nga shteti izraelit.

YPG-ja është dega siriane e organizatës ushtarake PKK, e cila është listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

“The Army Radio”, e cila transmetoi porosinë, nuk e dha emrin e plotë të komandantit, por e përmendi atë si “Alef”. Ai tha se nëse Tel Avivi zyrtar nuk intervenon, e gjithë Lindja e Mesme do të “ndikohet negativisht”.

Zyrtarët izraelitë dhe komentuesit janë zemëruar me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria. Ata besojnë se vendimi nuk u shërben synimeve afatgjate izraelite në rajon. Kolumnistët izraelitë e kanë përshkruar veprimin si “ngulitje e thikës pas shpinës së Izraelit”.

Duke cituar zyrtar izraelit i cili foli në kushte anonimiteti, mediat izraelite pretendojnë se komandanti i YPG/PKK-së të hënën i ka bërë thirrje Tel Avivit për ndihmë kundër operacionit turk. Zyrtari izraelit ka shprehur besim se populli hebre nuk do të “lërë pas dore gjendjen vështirë të kurdëve” në Sirinë veriore.

Megjithatë, zëdhënësi i presidencës turke, İbrahim Kalın, veçse e ka bërë të qartë se veprimet e Turqisë nuk ishin kundër kurdëve, por kanë për qëllim të pastrojnë pjesën verilindore të Sirisë nga grupet terroriste.

“Evropianët duhet të jenë mirënjohës ndaj nesh pasi operacioni antiterrorist i Turqisë dhe vendosja e saj ushtarake për armëpushimin në Idlib, do të forcojnë sigurinë dhe stabilitetin në Sirinë veriore dhe gjithashtu do të lehtësojë përpjekjet për një zgjidhje politike për konfliktin sirian”, tha ai.

Më 10 tetor, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu denoncoi operacionin e Turqisë në Sirinë verilindore dhe tha se Izraeli ishte i gatshëm që të ofrojë ndihmë humanitare për kurdët në Siri.

  • “Kjo thirrje për pavarësi që vjen nga Izraeli është jashtëzakonisht ironike”

Ish-ministrja izraelite e drejtësisë, Ayelet Shaked, në mënyrë të hapur ka mbështetur një ide për të krijuar një territor të pavarur në kufijtë e Turqisë, i cili do të jetë miqësor ndaj Izraelit.

Në shtator të vitit 2017, ish-zv/kryetari i ushtrisë së Izraelit, gjenerali Yair Golan, në një konferencë në Washington kishte shprehur mbështetje për grupin PKK.

“Nga këndvështrimi im personal PKK nuk është një organizatë terroriste, kështu e shoh”, tha Golan.

“Kur ju shikoni Iranin në lindje, kur shikoni paqëndrueshmërinë në rajon, një entitet kurd i qëndrueshëm dhe i unifikuar në mes të kësaj kënete, nuk është një ide e keqe”, shtoi ai.

Sahar Vardi, një aktiviste izraelite anti-militariste, tha: “Kjo thirrje për pavarësi që vjen nga Izraeli është jashtëzakonisht ironike, i cili mohon të drejtën e vetëvendosjes së miliona palestinezëve që i kontrollon nën okupim”.

Ajo tha se deklaratat e liderëve izraelitë nuk janë të motivuara nga morali por vetëm nga vetë-interesi.

“Përderisa Izraeli vazhdon të okupojë miliona palestinezë, ai nuk mund të luftojë për çlirimin e kombeve tjera dhe të pretendojë se është i nxitur nga dëshira për të bërë gjënë e duhur”, shtoi ajo.

Duke ndjekur operacionet e PKK-së në Siri, një revistë amerikane e politikës së jashtme thotë se ata kishin prezencë në Siri deri në vitin 1998, kur qeveria siriane e shpalli të ndaluar grupin.

Pesë vite më vonë u formua PYD, me të njëjtët anëtarë si dega siriane e PKK-së. Shumë shpejt ajo formoi degën terroriste YPG. Turqia gjithmonë ka theksuar bashkëpunimin me këtyre dyjave.

Në vitin 2016, në dëshminë e tij para Kongresit amerikan, sekretari i atëhershëm i mbrojtjes Ashton Carter gjithashtu e bëri të qartë se ekzistojnë “lidhje thelbësore” midis PYD-së dhe PKK-së. Raportime të pavarura gjithashtu kanë përshkruar mbizotërim në anëtarësi.

Mehmet Solmaz, një gazetar turko-britanik, thotë se përderisa bota me të drejtë ka dënuar DEASH-in për rekrutimin e fëmijëve ushtarë, por pyetet se përse bota më pak është shqetësuar kur fëmijët janë detyruar të luftojnë për YPG/PKK apo për grupet tjera që ndërlidhen me të.

“Ata mendojnë se i bëjnë favor kauzës kurde duke varrosur lajmet e abuzimit në të cilin po kalojnë fëmijët kurdë në duart e liderëve militantë të PKK-së”, shkroi ai në një gazetë.

Duke raportuar nga Erbili në Irakun verior, gazeta izraelite Haaretz thotë se terroristët e YPG/PKK-së nuk lejonin që civilët të shpëtonin nga konflikti në rajon.

“Refugjatët kurdë i konfirmojnë Haaretz-it se ata janë kthyer prapa në pikat e kontrollit nga forcat e tyre të sigurisë, YPG, në një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar humanitar (i cili kërkon të kufizojë efektet e konfliktit të armatosur)”, tha gazeta.