75 Mall Live Search
11:57 / E Martë, 21 Maj 2019 / indeksADMonline

KURDISJET SKANDALOZE! Shteti të filloj hetim urgjent ndaj krimit në futboll!

Kurdisjet e ndeshjeve në futbollin e Kosovës kanë arritur pikën më të lartë që është mbajtur mend ndonjëherë.

3 javët e fundit në Superligë kanë dëshmuar se ekziston një rrjet i krimit të organizuar që prek shumicën e skuadrave që garojnë në rangun më të lartë të futbollit në Kosovë.

Pa pasur nevojë të hulumtosh në detaje, mjafton të shikosh xhirimet televizive dhe e kupton që ndeshja ka qenë e trukuar.

Indeksonline ka hulumtuar disa ndeshje të cilat rezultojnë të jenë të kurdisura në forma të ndryshme.

Marrëveshjet e klubeve përfshijnë ujdi me përfitime të ndryshme, si para në dorë, borxh të pikëve, para në duar që disa futbollistë kundërshtarë ta sabotojnë ndeshjen etj.

Kurdisjet arrijnë deri në atë pikë sa që edhe zyrtarët më të lartë të klubeve e pranojnë që ka manipulime dhe këto mund të shërbejnë si fakte të mjaftueshme që shteti të filloj hetim të menjëhershëm që të ndaloj këtë dukuri negative që po e përcjellë futbollin e Kosovës.

“Drita ia ka lëshuar pikët Flamurtarit. Ka vendosur që të luaj me lojtarë rezervë duke e inkuadruar edhe një futbollistë të paregjistruar. Ne e kemi vërejtur këtë dhe kemi bërë ankesë. Unë e kisha rastin për të bërë kalkulime. Na nevojitej vetëm 1 pikë me Ferizajin për të mbijetuar dy skuadrat, por nuk e bëra” kishte deklaruar për Indeksonline presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Kjo deklaratë nënkupton që Ferizaji dhe Trepça 89 kanë diskutuar rreth manipulimit të rezultatit dhe se pretendimi i presidentit Zeka që Drita i’a ka lëshuar pikët Flamurtarit duhet gjithsesi të hetohet.

Kupolla e krimit të organizuar në këtë edicion ka qenë Keku. Skuadra nga Obiliqi që gjatë gjithë stinorit fitoi vetëm 1 pikë, ishte vatër e lulëzimit të kurdisjeve, ku ekipet e Superligës e shfyrtëzuan për të “çnukur” pikë përmes pazareve të ndryshëm.

“Po është e vertetë. Ndeshja me Feronikelin (ku Kastriot Rexha shënon hat-trick me penallti) ka qenë e shitur dhe këtë e dinë gjithë lojtarët” ka thënë për Indeksonline një zyrtar i Kekut.

Prokuroria e shtetit duhet të nis aksion për të ndalur këtë dukuri negative sepsë nëse kështu vazhdon të ecë “kungulli mbi ujë” futbolli i Kosovës do të jetë gjithmonë i njëllosur dhe shikuesit do të qëndrojnë larg stadiumeve.

Ndeshja Flamurtari – Keku e zhvilluar më 29 prill, është një nga duelet e dyshuara për kurdisje.

Ky është goli vendimtar që shënohet në fund të ndeshjes dhe shihet qartë pasiviteti i lojtarëve të Kekut të cilët “e hapin portën” për golin e Flamurtarit.

Rasti tjetër flagrant është në ndeshjen Flamurtari – Llapi, ku poashtu vërehet një gabim amatoresk i portierit, që lëshon topin në mes të këmbëve të futet në portë.

Portieri i njejtë Afrim Ademi është protagonist edhe në ndeshjen tjetër që dyshohet për kurdisje, Llapi – Feronikeli.

Reagim i “ngathtë” i mbrojtes u pa edhe në ndeshjen Feronikeli – Drita ku kampioni më i ri fitoi 4-1.

Këto janë vetëm disa prej xhirimeve që prokuroria duhet ti hetoj, para se këtë ta bëjë UEFA.

E nëse këta të fundit ndërmarrin veprime, denimet do të jenë të rrepta ngase UEFA ka 0 tolerancë ndaj trukimeve.

Rasti i fundit është Skendërbeu i Korçës që është denuar me 10 vite mos pjesëmarrje në garat evropiane.

Sipas burimeve të Indeksonline, vetëm në gjatë 6 javëve të fundit të Superligës këto janë disa nga ndeshjet që dyshohet se ka pasur manipulime.

Keku 0-4 Feronikeli 21.04.2019

Flamurtari 2-1 Keku 29.04.2019

Drenica 0-1 Feronikeli 04.05.2019

Feronikeli 4-1 Drita 11.05.2019

Drenica 1-1 Ballkani 15.05.2019

Drita 1-2 Flamurtari 15.05.2019

Llapi 1-3 Feronikeli 15.05.2019

Keku 2-5 Ferizaj 16.05.2019

Flamurtari 3-2 Llapi 19.05.2019

Ballkani 2-0 Drita 19.05.2019

Liria 2-3 Drenica 19.05.2019.

/Indeksonline/