Kurimi i gabuar i gripit të syrit çon në verbim! Shtohen rastet, po preken edhe fëmijët!

Në qendrat shëndetësore, çdo ditë mbërrijnë fëmijë të prekur nga gripi i syrit. Për report Tv, mjeku okulist Rubin Topi thotë se më të predizpozuar për t’u infektuar janë të vegjlit që frekuentojnë institucionet parashkollore.
“Më shumë po shohim moshat e vogla fëmijët, sidomos fëmijët që janë në çerdhe, në kopësht sepse fatkeqësisht ai ambient shërben si një lloj inkubator ku fëmijët mund t’ia ngjisin këtë infeksion viral njëri-tjetrit. Në ditë mund të shohim minimalisht 5-6 raste.”-shprehet mjeku.
Simptoma kryesore e këtij infeksioni ngjitës, është skuqja e syve.
“Pacienti zgjohet në mëngjes ose me njërin sy ose me të dy sytë njëkohësisht dhe i gjejnë sytë si të ngjitur me sklepa. I sheh shumë të skuqur, shumë të irrituar dhe kanë dhe ndjesinë sikur ka diçka brenda në sy. Ka lotim të shtuar, ndjesinë e një diskomforti me sytë.”-shton më tej mjeku.
Pasojat në rast të kurimit të gabuar apo të vonuar, mund të çojnë deri në humbje të shikimit.
“Ka raste që ose janë kuruar gabim ose nuk është paraqitur tek mjeku specialist ose kura ka filluar vonë dhe mund të lërë njolla si njolla të bardha, ku këto njolla ose kjo veshje jo vetëm ul përqindjen e shikimit por në shumë raste ka çuar deri në një veshje totale saqë personi ka arritur deri mos të shikojë më.”-shprehet Topi.
Për mjekun okulist Rubin Topi, për të shmangur prekjen nga gripi i syrit rëndësi të veçantë ka higjiena, larja sa më shpesh e duarve si dhe përdorimi i një peshqiri personal.