Kurteshi: Çështja e Luginës të bëhet pjesë e përhershme e dialogut me Serbinë
Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, tha se gjendja në Luginën e Preshevës nuk është aspak e mirë. Ai paraqiti edhe propozimin e tij për Luginën e Preshevës, ku një ndër to është edhe futja e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë.
“Çështja e Luginës të bëhet pjesë e përhershme e dialogut me Serbinë, në Bruksel ose kudo tjetër. Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë, t’i informojnë institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese të shtetit të Serbisë që po ushtron ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të kërkojnë nga të njëjtit që të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Të insistohet në parimin e reciprocitetit në mes të shqiptarëve të Luginës dhe serbëve të Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, ai pati disa fjalë edhe për gjendjen e tanishme në Luginën e Preshevës.
“Gjatë vizitës në Këshillin Kombëtar në Bujanoc, kemi mësuar se Këshilli është reduktuar nga 29 në 15 anëtar dhe buxheti i tij është zvogëluar për 40 përqind. Nxënësit, në mungesë të teksteve shkollore, mësojnë kryesisht nga shënimet. Numri i të punësuarve në administratën e shtetit është simbolik. Në spitalin regjional të Vranjës, në të cilin punojnë rreth 600 punëtor, e ku 40 përqind të pacientëve janë shqiptar është i punësuar vetëm një shqiptar. Në Ministrinë e Arsimit të Serbisë punon vetëm një shqiptar, kurse në kadastër nuk punon asnjë shqiptar”, u shpreh ai.
Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, bashkëpropozues i kësaj iniciative, u shpreh se Lugina e Preshevës ka nevojë emergjente të ndihmohet, sidomos në fushën e arsimit.