75 Mall Live Search
15:54 / E Enjte, 26 Gusht 2021 / A. M.

Kurteshi mundohet të arsyetohet, ndonëse e sulmoi zyrtarin e KQZ-së për maskë

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka sqaruar incidentin e së mërkurës në të cilin pati konflikt mes tij dhe një punonjësit tjetër të këtij institucioni që zanafillën e ka pasur te vendosja e maskës.

Në përfundim të mbledhjes, Kurteshi deklaroi se nuk ka pasur konflikt, por e kishte nxjerrë jashtë një person që kishte refuzuar të vendosë maskën siç e kërkon ligji. Kurteshi tha se as nuk janë shkëmbyer fjalë ofenduese dhe nuk ka pasur kundërshtime nga personi të cilin e kishte nxjerrë jashtë.

Ai tha se kërkesë e tij ka qenë që të respektohet ligji dhe vendimi qeveritar.

“Dje nuk ka pasur konflikt verbal, dje nuk ka pasur as konflikt fizik, dje nuk ka pasur asnjë fjalë, fyerje apo sharje, dje nuk ka pas as kundërshtime. Kam kërkuar me dal dhe e kam nxjerrë atë djalin jashtë”, deklaroi Kurteshi.

Anëtari i KQZ-së pranoi se ka qenë në polici për të dhënë deklaratë mbi atë se çfarë kishte ngjarë. Mirëpo, ai pretendoi se i njëjti person refuzon të respektojë ligjet pasi e ka dikë të lartë që “ia ruan shpinën”.Duke risjellë ngjarjen e djeshme, Kurteshi u shpreh se personin e kishte takuar brenda institucionit pa maskë dhe fillimisht e kishte pyetur se ku e ka maskën e i cili ka refuzuar të përgjigjet, ndërsa më pas i kishte kërkuar të vendosë.Por, ka hasur në kundërshtim te personit dhe Kurteshi tha se e kishte nxjerrë jashtë.

“ Dje, kam pasur mbledhje. Duke hyrë në zyre aty afër është një automatë i kafesë dhe rastësisht e kom parë një djalë që nuk ia di emrin, pa maskë, edhe veç e kom pyet: ‘djalo, ku e ke maskën?’ Ndoshta ka folur por nuk e kam dëgjuar. Mandej i kom thënë ‘vendose maskën!’. Më tha: ‘Jo, as s’kam, as s’e vendosi’. ‘Qysh s’e vendos’. ‘Duhesh me dal jashtë’. ‘Jo as s’dal jashtë, as s’e vendosi maskën. Edhe unë e kom marrë e kom nxjerrë jashtë. Ka dalë jashtë ai, s’ka pas konfrontime, s’ka pas as konflikt verbal, sharje e fyerje. Kanë qenë 7 a 8 vetë. Por unë kam bërtitur për ta dëgjuar të gjithë”, deklaroi Kurteshi.

Ai tha se e kishte kuptuar se çështja është bërë mediatike vetëm pasi kishte përfunduar mbledhjen. Ai tha se djali pasi kishte dalë jashtë e kishte vendosur maskën.