12:51 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kurti: 3 muaj nga ratifikimi i Demarkacionit, ende nuk ka lëvizje për rishikim të kufirit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se është heshtur çështja e rishikimit të vijës kufitare me Malin e Zi, ashtu edhe siç edhe është bërë marrëveshja nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi.

Përmes një konference për media, Kurti tha se që nga ratifikimi i Demarkacionit e deri më tash nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim.

“3 muaj të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe nuk ka asnjë lëvizje me atë se çfarë ka thënë kryeministri në Kuvend sa i përket rishikimit. E ka heshtur këtë çështje dhe nuk po lëviz asgjë në këtë drejtim. Nuk po i parashtrohen Malit të Zi asnjë kërkesë.  Jo pak deputetë u patën mashtruar pikërisht nga premtimi i korrigjimit që nuk po ndodh”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, për të qenë më keq se kaq, Kosova qeveriset nga një Qeveri e pakicës. Për këtë ai ka thënë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja dhe të lira.

“Për të qenë më keq se kaq ndodhemi në një situatë që nuk mund të kemi Demokraci se kemi Qeveri të pakicës. Numri i partive të koalicionit qeverisë është dyfishë më i madh sesa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Kemi kërkuar dorëheqjen e tij i cili çdo javë e bën së paku 1 skandal. Kemi nevojë për zgjedhje të reja dhe të lira”, është shprehur ai.

Ndërsa, ai gjithashtu ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, presidenti Thaçi përmes dialogut do i ndihmojë Serbisë integrimin në Bashkimin në BE, ndërsa do i ofrojë Kosovës më pak se pavarësisë e më shumë se autonomi.

“Plaçkitja e fondit personal, e artefakteve kulturore, shkatërrimi i shtëpive 98-99 është në vlerën prej 20 miliardë eurove.  Në një mënyrë presidenti po e shtynë Kosovën tek formula e Serbisë, më pak se pavarësi më shumë se autonomi, siç ka dashur Beogradi. Po i ndihmon Serbisë të arrijë sa më shpejt në Bashkimin Evropian.  Nuk është e rastësishme që u tërhoq platforma që erdhi në Kuvend se e dinin se nuk do merrte as minimumin e votave. Ne jemi të interesuar për dialog me parime dhe jo për persona pa parime që hyjnë në dialog për interesa vetjake. Nuk duam të legjitimojmë këto sjellje. Mund të bëj ujdi të fshehtë por nuk do i vlejnë në Kosovë. Çfarë do marrëveshje që do nënshkruaj Thaçi për dialogun në Bruksel nuk do vlejë as sa çmimi i ngjyrës dhe i letrës që do nënshkruhet”, është shprehur Kurti./Indeksonline/