Kurti: Arsimi është prioritet i Qeverisë, i kemi shtuar 22 inspektorë të rinj të arsimit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në punëtorinë njëditore të organizuar nga Inspektorati i Arsimit me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, ku ka theksuar rëndësinë që Qeveria i jep arsimit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë fushë.
Në fjalën e tij para inspektorëve të arsimit, Kurti ka vlerësuar përpjekjet dhe angazhimin e tyre, duke rikujtuar sfidat me të cilat është përballur ky institucion ndër vite. Ai tha se për një periudhë të gjatë, Inspektorati ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, një numër që, sipas tij, nuk përkon me nevojat reale të sistemit arsimor në vend.
“Jemi këtu së bashku për të vlerësuar përpjekjet për ngritjen e cilësisë në arsim edhe për të rikonfirmuar që arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet i qeverisë tonë. Kujtojmë se për një periudhë të gjatë kohore Inspektorati i Arsimit ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë. Një numër që nuk përkon as afër me institucionet arsimore, kopshteve, çerdheve – nuk përkon me barrën që ka ky institucion. Edhe përballë këtij realiteti sfidues, me përkushtim ju keni mbajtur funksionin e njërit prej mekanizmave më të rëndësishëm të sistemit arsimor, e për këtë ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time”, theksoi Kurti.
Ai bëri të ditur se si rezultat i angazhimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, janë shtuar 22 inspektorë të rinj, të cilët do të forcojnë më tej praninë dhe mbështetjen në terren për institucionet arsimore në vend.
“Përpjekjet e qeverisë sonë dhe MAShT për forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit Arsimor nuk janë ndalur asnjëherë. Si rezultat i këtij angazhimi kemi shtuar 22 inspektorë të rinj që do t’i japin sistemit tonë arsimor më shumë mbështetje dhe prani në terren”, deklaroi Kryeministri në detyrë.
Ai shtoi se investimet në arsim kanë qenë të vazhdueshme dhe të orientuara drejt përmirësimit të kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie: nga ndërtimi dhe renovimi i shkollave me infrastrukturë moderne, pajisje bashkëkohore, e deri te zhvillimi profesional i mësimdhënësve.
“Të gjitha këto investime janë në favor edhe të juve si Inspektorat. Sa më i fortë të jetë themeli i sistemit arsimor, aq më e lehtë bëhet puna e inspektimit dhe aq më pak ndërhyrje do të jenë të nevojshme”, përfundoi Kurti.