19:29 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

Kurti bisedon në telefon me Zaev-in, flasin për pandeminë, zgjedhjet e dialogun me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, zhvilluan sot bisedë telefonike.

Gjatë saj, ata diskutuan për menaxhimin me COVID-19 në të dy vendet. Kryeministri në detyrë Kurti dhe qeveria e tij u përgëzuan për menaxhimin shembullor me pandeminë. Zaev e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti se Maqedonia e Veriut është ballafaquar me pandeminë me një Qeveri teknike në detyrë, por se shpejt do të përcaktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat priten të mbahen në korrik të këtij viti.

Në rrafshin e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal, Zaev i ofroi Kryeministrit në detyrë Kurti gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë. Ai tha se ka respekt të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore ashtu sikurse kanë edhe qëllim të përbashkët anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi janë të rëndësishëm.


Aty u diskutua edhe tema e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri në detyrë Kurti dhe Zaev u pajtuan se dialogu është i suksesshëm atëherë kur prodhon një marrëveshje të pranueshme e largpamëse, dhe një marrëveshje të qëndrueshme si për palët e përfshira në të ashtu edhe për rajonin.