Kurti deklaron se VV e sheh LDK-në si partner të vetëm për lidhjen e koalicionit
Lëvizja vetëvendosje zhvilloi sot mbledhjen e 39-të të Këshillit të Përgjithshëm.
Me këtë rast, lideri i VV-së, Albin kurti deklaroi se viti që po mbyllet ka qenë vit i humbur, nga këndvështrimi i interesave shtetërore të Kosovës.
Sipas Kurtit, një qeverisje e paaftë dhe e kapur, ka shënuar dobësim e regres si në politikën e jashtme ashtu edhe në sferat e brendshme të zhvillimit ekonomik, drejtësisë, arsimit e shëndetësisë.

“Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë”, tha Kurti, transmeton Indeksonline.
Ai gjithashtu theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Vetëvendosjes për ta përmbushur mandatin që votuesit ia dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këshilli i Përgjithshëm VV-së përshëndeti dy aktivistët, Glauk Konjufcën dhe Arbërie Nagavcin, të cilët u zgjodhën nga Kuvendi i Kosovës si kryetari e nënkryetarja e organit më të lartë të Republikës.
Më pas në këtë mbledhje u zhvilluan diskutimet e debatet mbi situatën politike, sfidat e brendshme e ato rajonale, si dhe u shtjelluan nevoja për përforcime strukturore të VV-së, për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave, të rinjve e mërgatës./Indeksonline/


