Kurti del me një videothirrje, kërkon përkrahje për Hajren

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë me një videomesazh drejtuar qytetarëve të Prishtinës, ku ka kërkuar përkrahje për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kryeqytetit, Hajrulla Çekun.
Kurti ka theksuar se zgjedhjet e 12 tetorit janë “referendum për të ardhmen e Prishtinës”, duke thënë se qytetarët duhet të zgjedhin mes stagnimit e korrupsionit, ose zhvillimit e vizionit.
“Zgjedhja e duhur është vetëm një: Hajrulla Çeku. Një njeri i thjeshtë, i përkushtuar, i ditur, i kulturuar, e me rezultate të mëdha. Hajra është profesionist i vërtetë. Para së gjithash, me magjistraturë në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal, ai e ka dëshmuar veten si një nga ministrat më të mirë që ka pasur Kosova”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar platformën “Prishtina 2035” si plan të qartë për një kryeqytet funksional, të gjelbër dhe të pastër.
“E mbi të gjitha, është vizionar: me platformën “Prishtina 2035”, ai ka një plan të qartë për një Prishtinë funksionale, të pastër, të gjelbër e përplot jetë.
Me Hajrën kryetar, Prishtina do të bëhet qyteti që frymon zhvillim, kulturë, sport e inovacion”, ka shkruar Kurti.
Kreu i VV-së, ka ftuar qytetarët që më 12 tetor të votojnë numrin 105 të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të japin besimin për Hajrulla Çekun si kryetar të Prishtinës./IndeksOnline/