Kurti: Dëshmorët janë mbartësit e historisë, ata na bashkojnë!

Sot, me rastin e 5 Majit – Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni.
Ai u shpreh se 5 maji i bashkon lufëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët, shkruan Indeksonline.
“Dëshmorët na bashkojnë. Detyrën ndaj tyre do ta kemi kryer nëse një pjesë e ëndrrës së tyre gjendet e realizuar gjatë jetëve dhe veprimeve tona“, shkroi Kurti.
Postimi i plotë:
Dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni. Dhe nuk ka më drejt se t’i mendosh të prehen nën monumentin e Nënës Shqipëri.
Nëse historia jonë e përmban dëshminë e tyre, ajo na dëfton prej nga vijmë. Nëse historia shkruhet sipas frymës që themeloi çdo herë akti i tyre, atëherë ne do të dijmë sigurisht se kah shkojmë.
5 maji i bashkon luftëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët. Dëshmorët na bashkojnë. Detyrën ndaj tyre do ta kemi kryer nëse një pjesë e ëndrrës së tyre gjendet e realizuar gjatë jetëve dhe veprimeve tona.
