Kurti dhe Gërvalla shkojnë në Bosnje, përkujtojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderuan kujtimin e 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë të ekzekutuar sistematikisht nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.
“Srebrenica ishte gjenocid. Një krim i kryer në zemër të Evropës, i planifikuar me qëllim zhdukjen e një popullsie të tërë. 8,372 jetë u shuan brenda pak ditësh, ndërsa bota heshti. Ky është kujtim dhe njëherazi paralajmërim – që të mos lejojmë kurrë më një tragjedi të tillë.”
“Ne në Kosovë e dimë mirë çfarë do të thotë të jesh viktimë e spastrimit etnik, të dhunës dhe të mohimit të ekzistencës. Prandaj, për ne, Srebrenica nuk është vetëm histori – është obligim moral, politik dhe njerëzor. Është test i ndërgjegjes evropiane.”
Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e njohjes ndërkombëtare të gjenocidit, ndëshkimin e autorëve dhe edukimin brez pas brezi, për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla.
“Srebrenica është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij,” përfundoi ministrja Gërvalla. “Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër. Viktimat nuk guxojmë t’i harrojmë kurrë.”


























