Kurti dhe Mickoski diskutojnë për marrëdhëniet Kosovë–Maqedoni e Veriut

Gjatë qëndrimit në Shkup, në margjina të Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim bilateral me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri e përgëzoi homologun e tij për organizimin e suksesshëm të këtij samiti të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe e falënderoi për mikpritjen.
Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive nga mbledhjet e përbashkëta, ndër të cilat u theksuan funksionalizimi i dy pikave të përbashkëta kufitare, dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
Në frymën e samitit, diskutuan edhe për procesin integrues drejt Bashkimit Evropian për të dy vendet dhe rajonin, si dhe për rëndësinë e Planit të Rritjes dhe fondeve të BE-së në përshpejtimin e reformave të agjendës evropiane.
Gjatë takimit dhe pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Florian Qehaja.