Kurti dhe ministri Vitia mirëpritën 32 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë
Në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, mirëpritën 24 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe 8 inspektorët e rinj farmaceutikë.
“Nga 11 inspektorë shëndetësorë po bëheni 35. Nga 12 inspektorë farmaceutikë, po bëheni 20. Pra, 32 inspektorë të rinj gjithsej, që do të thotë trefish më shumë inspektorë në fushën e shëndetësisë”, e nisi kryeministri Kurti fjalën e tij, duke vlerësuar lartë detyrën e jashtëzakonshme të inspektorëve, të cilët siç tha ai, janë sytë dhe veshët e ankesave të qytetarëve kur vjen puna te shërbimet shëndetësore.
Me nënshkrimin e kontratave të reja, kryeministri u shpreh se duhen zgjidhje edhe për sfidat logjistike, me ç’rast janë nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin që do të rinovohet, si dhe do të shtohet edhe flota e makinave që kontribuon në mbarëvajtjen e punës dhe shpejtësinë e rezultateve.
Në të njëjtën kohë, është në finalizim e sipër Ligji për Inspektoratin Qendror që rregullon edhe më mirë ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive për inspektorët. Kësisoj, kapacitetet inspektuese pritet të jenë shumë të larta nga institucioni që vërejtjet e pakënaqësitë e disa qytetarëve mund t’i kthej në shërbim të përmirësuar për të gjithë qytetarët, vazhdoi kryeministri.
Ndërsa, në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu falënderimet e tij në lidhje me punën e inspektorëve, duke iu referuar atyre si diga e fundit e cilësisë në shërbimet tona shëndetësore.
Ai premtoi se të gjitha kushtet logjistike, të gjitha ato që kanë nevojë si mjete të domosdoshme për punë, hapësirat ku do të punojnë si Ministri e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, do t’ua plotësojnë të gjitha nevojat për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, e cila pritet të realizohet nga ata.
Duke uruar të gjithë inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë, kryeministri deklaroi se do të rrisim edhe më tej numrin e inspektorëve, sepse ata janë garancia e zbatimit të ligjeve dhe trajtimit të barabartë për pacientët.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Mirëdita të të gjithëve dhe ju faleminderit shumë që na keni bërë bashkë në një ditë të rëndësishme edhe për juve edhe për neve, por mbi të gjitha edhe për qytetarin, për shëndetin publik, për mirëqenien në Republikën tonë.
I nderuar Dr. Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë,
I nderuar Bardhyl Dobra, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme,
Zonja dhe zotërinj,
Nga 11 inspektorë shëndetësorë po bëheni 35. Nga 12 inspektorë farmaceutikë, po bëheni 20. Pra, 32 inspektorë të rinj gjithsej, që do të thotë trefish më shumë inspektorë në fushën e shëndetësisë.
Matematikisht i bie që nga sot kemi trefish më shumë kapacitete inspektuese. Por, unë pres që numri i inspektimeve të mos jetë vetëm trefish më i lartë, por edhe shumë më shumë se kaq.
Ju keni një detyrë të jashtëzakonshme sepse të thuhet të rëndësishme po më duket pak. Jeni edhe sytë edhe veshët e ankesave të qytetarëve kur vjen puna te shërbimet shëndetësore.
Jeni institucioni i cili vërejtjet dhe pakënaqësitë e disa qytetarëve mund t’i kthej në shërbim të përmirësuar për të gjithë qytetarët.
Në një formë jeni diga e fundit e kujdesit për ata të cilëve mbase u ka munguar kujdesi cilësor apo edhe i barabartë.
Ndërkohë që ju do të filloni punën, ne po angazhohemi në finalizimin e Ligjit për Inspektoratin Qendror. Me të do të rregullohet edhe më mirë ushtrimi i detyrave dhe i përgjegjësive për inspektorët.
Do të rrisim edhe më tej numrin e inspektorëve, sepse ju jeni garancia e zbatimit të ligjeve dhe trajtimit të barabartë të pacientëve.
Me rritjen e inspektorëve të cilët janë zgjidhje për shërbime më të mira, jemi të vetëdijshëm që do të kemi edhe sfida logjistike të cilat po ashtu do të kërkojnë zgjidhje, por bashkë me krejt çfarë mundemi e dimë, sigurisht që ia dalim.
Tashmë kemi nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin, i cili do të rinovohet dhe urojmë që sa më parë të jetë i gatshëm për shfrytëzim, për përdorim. Do ta shtojmë edhe flotën e makinave që është jetike për mbarëvajtjen e punës dhe për shpejtësinë e rezultateve.
Andaj, urime secilës dhe secilit prej jush, dhe shumë suksese e mbarësi në ushtrimin e përgjegjësive që vijnë bashkë me funksionin që keni.
Urime edhe një herë e ju falemnderit shumë.