75 Mall Live Search
15:26 / E Premte, 26 Mars 2021 / OSH

Kurti: Do të angazhohemi si askush më parë para nesh për drejtësi për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.

Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.

Duke bërë nderime te Varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, kryeministri Kurti theksoi se kryhet një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë falë të cilëve ne sot e kemi edhe lirinë edhe pavarësinë.

“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon dhe është obligim yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e  Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë  që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të  gjykojë e të dënojë kriminelët  e luftës”, tha ai.

Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.

“113 veta u vranë në Krushë të Vogël dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë  në pranverën e vitit 1999.  Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi ne në mënyrë që të na shporrnin nga  toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë” ka thënë Kurti.

Nga Krusha e Vogël, kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve, për humbjet, vuajtjet  e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirët, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.

“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve, të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi kryeministri Kurti.