Kurti e ambasadori gjerman bisedojnë për ngërçin në kuvend
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe bashkëpunimin në shumë fusha, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.
Gjatë takimit, ambasadori Rohde u interesua për çështjen e konstituimit të kuvendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që presin miratim. Me këtë rast, kryeministri theksoi nevojën dhe rëndësinë që konstituimi i legjislaturës së nëntë të përmbyllet sa më shpejt me zgjedhjen e kryesisë së kuvendit. Ai numëroi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra për konstituimin e kuvendit duke përfshirë edhe takimin me liderët e partive politike në kuvend dhe takimin e ftuar nga presidentja e vendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri foli edhe për kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës që u regjistrua gjatë fundjavës që shkoi. Ai theksoi faktin se institucionet e sigurisë kanë vërtetuar se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS, duke konfirmuar kështu që origjina e kërcënimit është në Serbi.
Kryeministri falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

