75 Mall Live Search
22:22 / E Hënë, 28 Shkurt 2022 / AR

Kurti: E kemi obligim sjelljen e drejtësisë, duke i dënuar kriminelët serbë dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për 24 vjetorin e masakrës në Likoshan dhe Qirez.

Ai thotë se në këto ditë ne përkujtojmë dëshmorët dhe martirët tonë, e asnjëherë nuk harrojmë krimin shtetëror të Serbisë, raporton Indeksonline.

“E kemi obligim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, për të vrarët dhe familjarët e tyre, për të kaluarën e të ardhmen tonë, sjelljen e drejtësisë, duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët serbë dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, thotë Kurti.

Postimi i plotë:

“Helikopterë e makina ushtarake, përpara se forcat policore të hynin më këmbë për të bërë ç’të mundnin brenda, kishin qëlluar mbi lagjet, shtëpitë, çatitë.”

Kështu përshkruhet në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut ‘‘Human Rights Watch”, data 28 shkurt 1998 në fshatrat Likoshan dhe Qirez.

24 vjet më parë forcat serbe rrethuan këto dy fshatra dhe vranë e masakruan 24 civilë të pafajshëm.

Në këtë ditë ne përkujtojmë dëshmorët dhe martirët tonë, e asnjëherë nuk harrojmë krimin shtetëror të Serbisë.

E kemi obligim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, për të vrarët dhe familjarët e tyre, për të kaluarën e të ardhmen tonë, sjelljen e drejtësisë, duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët serbë dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit.