09:29 / E Martë, 19 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Kurti, merr Bahtirin në takime me diplomatë të huaj

Kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë,  Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Mitrovicës, e anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes,  Agim Bahtiri, priti në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga zëvendësShefi i misionit, Peter van der Bloemen dhe zyrtarja e lartë për sundimin e ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj.

Ambasadorja  Willems e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja institucionet shtetërore të formohen sa më parë. Ajo u interesua për prioritetet e Qeverisë së re, duke thënë se Holanda është e gatshme të ofrojë mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

Image may contain: 3 people, people smiling, people sitting, table and indoor

Kryetari Kurti e njoftoi Willemsin se prioritet i Qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune dhe politikat që zbusin pabarazinë. Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

Willemsi tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe me agjendën për reforma evropiane (ARE). Nga ajo ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Image may contain: 5 people, people sitting, table and indoor

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen.