Kurti e takoi në Gjilan biznesmenin me aktakuzë për ndërtime pa leje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore, po takon qytetarë e biznese, në qytete të ndryshme të Kosovës. Por ditëve të fundit kryeministri Kurti është parë në një takim me bizneset e Komunës së Gjilanit, ndër ta dhe biznesmen me aktakuza, për ndertime të paligjshme.
Në njërin nga restoranet e këtij qyteti, ku Kurti kishte mbledhur bizneset e këtij rajoni, u pa dhe biznesmeni ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për ndertime të paligjshme dhe uzurpim.
Në takim me Kurtin përveç nënkryetarës së Komunës së Gjilanit Leonora Bunjaku-Morina ishte dhe vëllai i saj biznesmeni Agron Morina, pronar i “Elita” SHPK, ndaj të cilit Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka ngritur aktakuzë për ndërtime të paligjshme, në gusht të vitit 2024.
Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën e paverifikuar e deri me datë 22.05.2024 e në vazhdim, në lagjen Fidanishte në Gjilan i pandehuri Agron Morina, në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të aurtorizuar “Elita” SHPK me seli në Gjilan, ka mundësuar dhe lejuar kryerjen e punimeve të kundërligjshme ndërtimore, në kundërshtim me standardet profesionale.
Por Morina është i njohur për ndertime pa leje në Komunën e Gjilanit dhe në të kaluaren.
E fotot me biznesmenët ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për veprimtari të jashtëligjshme, ishin postuar dhe në faqën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, për të treguar për takimet e Kurtit me biznese./Indeksonline/