75 Mall Live Search
12:45 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / S Z

Kurti e Vuçiq kthehen në dialog, analistët kritikojnë ndërmjetësuesit

Të mërkurën në dialog do të kthehen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ende Bashkimi Evropian nuk e ka zbardhur agjendën e takimit, por zbatimi i gjithë marrëveshjes bazike pritet të jetë në qendër të këtij takimi, që zhvillohet pas disa muajsh bllokadë.

Takimi i nivelit të lartë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe i dërguari special evropian për dialogun Miroslav Lajcak. Ky i fundit gjatë vizitës në Prishtinë tha se duhet të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, pikërisht kjo marrëveshje e arritur vitin e kaluar po shkelet nga Serbia e cila po angazhohet në pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Njohës të çështjeve politike kritikojnë ndërmjetësuesit e dialogut për qasjen, siç e quajnë ata, “ledhatuese dhe të njëanshme” ndaj Serbisë.

“Ata thonë që Serbia nuk po respekton marrëveshjen, por nuk bëjnë asgjë për ta sanksionuar Serbinë. Nuk kanë hezituar ta sanksionojnë Kosovën për gjëra shumë të të vogla, hezitojnë ta sanksionojnë Serbinë për rrënim të marrëveshjeve. Nuk e sanksionojnë as për agresionin në Banjskë. Prandaj qëndrimi I tyre asimetrik, I njëanshëm, është duke prodhuar dështimin në këtë dialog”, deklaroi Melazim Koci, politolog.

Edhe analisti Fidan Ukaj  thotë se kjo politika toleruese në adresë të Serbisë është vërtetuar se nuk ka qenë një politikë e duhur me e marrë Serbinë drejt perëndimit, “por ka qenë një politikë e gabueshme që e ka inkuraju Serbinë mos me i zbatuar marrëveshjet”.

“Mendoj se duhet me qenë edhe më rigoroze, sepse një politikë ledhatuese është provuar se nuk ka qenë një politikë e duhur. Vetëm një politikë më rigoroze ndaj Serbisë, do ta rikthente Serbinë në proces dialogues dhe do ta inkurajonte t’i zbatojë marrëveshjet”, deklaroi Ukaj.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian theksoi se marrëveshja është e detyrueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë duke theksuar se lobimi i Serbisë kundër Kosovës është një shkelje e qartë e marrëveshjes./rtk/