13:44 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kurti emëron Shenaj Shalën, këshilltare të jashtme politike, përgjegjëse e protokollit në Kabinetin e kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot znj. Shenaj Shala, këshilltare të jashtme politike, e angazhuar pro bono dhe është përgjegjëse e protokollit në Kabinetin e kryeministrit.

Shenaj Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD).

Mes viteve 1999-2013, znj. Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si asistente personale e përfaqësuesit special të Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Nga viti 2013-2015 z. Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme.


Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua zyrtare ndërlidhëse për Ballkanin e ISPD-së, kurse në vitin 2018 znj. Shala mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për “pitch” dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain).

Shenaj Shala vazhdon të mentorojë dhe këshillojë ndërmarrësit e rinj në Kosovë duke u fokusuar në aftësitë e buta dhe temat si komunikimi efektiv, të folurit në publik, inteligjenca emocionale dhe fjalimet motivuese; si dhe është trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal.