Kurti: Është koha e fundit që Serbia t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për Tregun e Përbashkët Rajonal, që është një nga elementet e Poricesit të Berlinit, i cili nuk po zbatohet.
Kurti insiston se Serbia duhet t’i pranojë dokumentet e Kosovës në mënyrë që kjo iniciativë të realizohet.
Sipas Kurtit, është koha e fundit që mbi Beogradin të bëhet trysnia që t’i pranojë dokumentet e Kosovës, raporton Indeksonline.
“Tregu i Përbashkët Rajonal është thelb i Procesit të Berlinit. Jo zëvendësim për BE-në, por si përgatitje për të. Për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal duhet që Serbia t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të mundësohet lëvizja e katërfishtë që paraqet vlerë të Bashkimit Evropian. Unë besoj që është koha e fundit që mbi Beogradin të bëhet trysnia që t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të qarkullojnë lirshëm kapitali e shërbimet e njerëzit dhe bashkarisht t’i afrohemi Bashkimit Evropian“, thotë Kurti.
I pyetur nga DW nëse Kurti duhet të bëjë ndonjë lëshim për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit, ai u shpreh se nuk ka kthim prapa.
“Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, kur jemi çliruar e as para vitit 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar Shpalljen e Pavarësisë dhe as para vitit 2012, kur ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës. Dokumentet janë të Repulikës dhe ato duhet të pranohen si të tilla, por le të mos harrojmë që Sllovakia, Greqia dhe Rumania nuk e pranojnë shtetin tonë ende – shpresoj që kjo të ndryshojë së shpejti – por edhe kanë zyrë të tyre në Prishtinë dhe i pranojnë që të gjitha dokumentet. Pasaporta ime pranohet nga Greqia, Rumania dhe Sllovakia, e nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, së paku, si hap i parë le t’u bashkohet vendeve mosnjohëse që, siç dihet, janë pakicë“, bën të ditur Kurti./Indeksonline/