Kurti falënderon qytetarët pas balotazhit: “Do të qeverisim në shtatë komuna, më shumë se kurdoherë më parë”
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit për kryetarë të komunave, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor të së dielës, transmeton IndeksOnline.
Në një postim publik, Kurti ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që, siç tha ai, treguan vullnet e pjekuri politike duke ushtruar të drejtën e votës.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, ju faleminderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, ka shkruar Kurti.
Ai ka falënderuar edhe aktivistët e Vetëvendosjes për angazhimin në fushatë, duke theksuar se lëvizja do të qeverisë në shtatë komuna – më shumë se në çdo periudhë tjetër.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shtuar Kurti./IndeksOnline/

