Kurti: Fermerët kanë qenë të neglizhuar e herë të keqpërdorur për qëllime korruptive

Kreu i Vetëvendosjes njëherësh kandidati për kryeministër nga kjo parti Albin Kurti ka deklaruar se fermerët dhe sektori i bujqësisë kanë qenë të neglizhuar e herë të keqpërdorur e shfrytëzuar për qëllime korruptive.
“Qeveria jonë e re do të kujdeset që kjo mos të ndodhë më, kurse ministria e Bujqësisë do të jetë në shërbim të fermerit dhe fshatit. Ballafaqimi me Pandeminë na ka rikujtuar më së miri rëndësinë e prodhimit vendor. Në situata të tilla shteti duhet të ketë kapacitetet që për çështje dhe nevoja bazike të qytetarëve, zgjidhjen ta ketë brenda”, ka shkruar Kurti duke marrë shkas arrestimet e fundit që ndodhën në Kosovë për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me subvencionet.
“Do të fillojmë me futjen e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, duke garantuar kështu stabilitet në treg. Do të mbështesim fermerin me pagesa të granteve e subvencioneve në kohë dhe çdo aplikim të vlefshëm”, thuhet tutje në publikimin e LVV-së.
Nga LVV janë shprehur se do të mbështesin financimin e bujqësisë me kredi të favorshme.
“Do të punojmë për transparencën dhe rritjen e besueshmërisë, parakusht për qasjen në fonde ndërkombëtare për Zhvillimin e Bujqësisë, mundësi shtesë për të përfituar mbështetje nga jashtë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Çdo vit do të financojmë në bujqësi deri në 100 milion euro”, thuhet tutje në njoftim.