13:49 / E Mërkurë, 13 Prill 2022 / LB

Kurti flet për mbledhjen e sotme të Qeverisë ku u miratuan 18 vendime të rëndësishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë kanë miratuar 18 vendime.

Në një status në llogarinë e tij në Facebook, kreu i Ekzekutivit ka thënë se kanë rritur pagën minimale për të gjithë në 264 euro, nga 130 euro e 170 euro sa ishte.

“Shtuam mbështetjen për qytetarët në vlerë prej 100 milionë euro, nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë veta apo praktikisht secila familje e Republikës sonë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në mbledhjen e 69-të të Qeverisë miratuam 18 vendime, në mesin e të cilave:

– Rritëm pagën minimale për të gjithë në 264 euro, nga 130 euro e 170 euro sa ishte. Pra, po e rrisim për 103% pagën minimale për punonjësit nën 35 vjeç, e për 55% për ata deri në 65 vjeç.

– Shtuam mbështetjen për qytetarët në vlerë prej 100 milionë euro, nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë veta apo praktikisht secila familje e Republikës sonë.

– Me qëllim të sigurimit të furnizimit me produkte bazë, ndaluam përkohësisht eksportin e produkteve themelore agroushqimore.

– Miratuam buxhetin e rishikuar, të rritur nga 2.75 në 2.90 miliardë euro. Falë performancës së shkëlqyer ekonomike, ky buxhet është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë.

Kabineti ynë qeveritar është i përkushtuar për t’u dalë në krah qytetarëve, e më së shumti atyre të cilët kanë më së shumti nevojë.