22:53 / E Diele, 24 Maj 2020 / indeksADMonline

Kurti flet për zgjedhje, kujton kohën kur Ibrahim Rugova u zgjedh president për herë të parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka folur për 24 majin, ditë kjo që shënon disa ngjarje historike.

Sipas tij, zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt, kurse pjesëmarrësit e saj meritojnë respektin dhe vlerësimin tonë.

Tutje, Kurti ka kujtuar edhe 24 majin e vitit 1992, datë kjo kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës për herë të pare.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

28 vjet nga zgjedhjet e para

Zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt, kurse pjesëmarrësit e saj meritojnë respektin dhe vlerësimin tonë.

Zgjedhjet e para parlamentare, organizuar nga Alternativa e padhunshme demokratike e kohës, ishin një rast i mirë për pasurimin e arsenalit të metodave të organizimit dhe veprimit politik si dhe konsolidimin e pozitës politike së çështjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Këto zgjedhje po hapnin hullinë e asaj që në teorinë e veprimtarisë së padhunshme quhet strategjia e padhunshme konstruktive – metodat e ndërtimit dhe funksionalizmit institucional edhe në kushte të represionit e okupimit.

Organizmi vetanak i zgjedhjeve në kushte te robërisë dhe të shtypjes kishte pjesëmarrje impresive: 766.068 votues brenda vendit dhe 105.300 në mërgatë. Ato ishin sukses në vete dhe nuk mbetën pa jehonë mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

24 maji 1992 është data kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës për herë të parë.

Qytetarët treguan guxim dhe vullnet anembanë Kosovës. Për fat të keq, asokohe nuk vazhdoi procesi i kompletimit dhe funksionalizimit të strukturës së pavarur institucionale të Republikës.

Megjithatë, 24 maji 1992 shënohet si datë kur populli kishte përzgjedhur rezistencën dhe po e konfirmonte pavarësinë. Ai injoronte zgjedhjet e Republikës së Serbisë dhe merrte pjesë masivisht në ato të Republikës së Kosovës, paçka se nën okupim.