75 Mall Live Search
15:20 / E Martë, 08 Korrik 2025 / S Z

Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë plagë e hapur e Evropës, e vërteta nuk duhet të harrohet

Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Shtëpia Botuese “Dituria Islame” e Bashkësisë Islame të Kosovës botoi veprën “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë” të autorit Mevludin Hrniq, i mbijetuar i kësaj masakre.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se“çdo dëshmi që ndriçon të vërtetën është gur kujtese dhe përgjegjësi që nuk mund të harrohet.

Ai rikujtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale për Gjenocidin në Srebrenicë.

“Sot në zemër të Prishtinës ne po kujtojmë një plagë të hapur të Evropës. Libri dëshmitar i gjenocidit te Srebrenicës më shumë se një rrëfim personal është gurë kujtese me një plagë që ende kullon. Në heshtjen pas gjenocidit çdo fjalë që të tregon të vërtetën që ndriçon të vërtetën. Ishte gjenocid dhe ky gjenocid është krim që i përket të gjithë njerëzimit dhe përgjegjësi që nuk mund të harrohet. Sikur boshnjakët edhe shqiptarët e Kosovës përjetuan egërsinë dhe mizorinë nga i njëjti pushtues. Kur u bëra kryeministër e sollëm këtë kujtim edhe në institucione, duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak e miratuam një rezolutë dhe e shpallëm 11 Korrikun, Ditë Memoriale për gjenocidin e Srebrenicës. Çdo dëshmitar dhe çdo libër është dëshmi që duhet respektuar dhe afirmuar. Falënderoj që ky zë të jetë edhe në gjuhën shqipe dhe për të besuar se e vërteta sado e vonuar gjithmonë mund të flasë”, tha Kurti.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, theksoi se e vërteta nuk vdes dhe nuk hesht dhe se vepra është homazh për viktimat, por edhe një thirrje për drejtësi dhe parandalim të tragjedive në të ardhmen.

“Sot në përvjetorin e 30-të jemi mbledhur, jo vetëm për të kujtuar, por edhe për të dëshmuar që e vërteta nuk vdes dhe nuk hesht. Promovimi i këtij botimi realizohet sot si homazh dhe si shprehje e kujdesit dhe përgjegjësisë morale ndaj historisë sonë. Mbi 8 mijë burra dhe djem u masakruan dhe shumë gra u dhunuan dhe shumë të tjerë u shpërngulën. U krye në një vend të siguruar nga OKB-ja. Populli shqiptar tregoi qëndresë dhe dinjitet dhe vazhdon të ruhen përmes kujtimeve dhe dëshmive të të mbijetuarve. Për lexuesit shqiptarë kjo vepër hedh dritë dhe nxit nevojë për kujtesën dhe që të reflektojmë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës do të mbështes në të ardhmen projekte të tilla për vendosjen e drejtësisë dhe parandalimin e tragjedive në të ardhmen. E kaluara e harruar rrezikon të përsëritet”, tha Tërnava.

Redaktori i botimit, Ramadan Shkodra, vlerësoi se libri përçon një dëshmi autentike që nuk lë vend për dyshim dhe është një kujtesë kundër harresës.

“Nuk jemi këtu për të promovuar një ditë, që për nga pesha është e veçantë. Jemi këtu për të mos harruar dhe për të treguar një dëshmi dhe të mos mbulohet nga pluhuri i harresës. Kujtojmë një nga krimet më të tmerrshme: gjenocidin e Srebrenicës. Më shumë se 8 mijë burra u masakruan në mënyrë sistematike. Kjo ndodhi në një vend, ku ishte garantuar e sigurt. Është provë kur urrejtja bëhet ideologji. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të kujtojmë dhe të flasim. Ky libër ka për qëllim që lexuesit të marrin dëshminë drejt, që nuk lënë vend për dyshime. Libri është një homazh për viktima, por edhe një thirrje që të mos ndodhin krime të tilla”, tha Shkodra.