22:35 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Kurti: Gjykata Supreme nuk mbrojti VV-në por vetvetën

Deputeti i Levizjes Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme për mosrinumërim të votave në Prishtinë dhe Prizren, ka thënë se ajo mbrojti vetveten dhe jo LVV.

Kurti në një shkrim në facebook ka thënë se Gjykata Supreme nuk mund të pranonte vendimin e PZAP-it pa diskredituar vetën e saj, po ajo vendosi në favor të saj, shkruan Indeksonline.

Kurti ka thënë që votat nesër të numërohen qetë e me vigjilencë, duke shtuar se nuk do të përsëritet numërimi, po festimi.

Postimi i plotë:

Diferenca pa përsëritje

Kuptimi i rinumërimit ishte sabotimi i numërimit. Ankesat e LDK dhe PDK, në Prishtinë dhe në Prizren, ishin ankesa humbësish që nuk duan ta pranojnë humbjen. Donin rinumërim që të mos mbaronte numërimi i cili do të vuloste fituesit e ditur. Rinumërimi do ta ndërprente numërimin, fillimi i rinumërimit do ta përjetësonte pambarimin e numërimit, drejt rivotimit të synuar për shkak të rezultatit të padëshiruar.

Vendimi i PZAP ishte bazuar në ato ankesa të pakta, të varfëra, e të dobëta, përmbajtësisht, logjikisht e gjuhësisht. Gjykata Supreme nuk do të mund ta pranonte këtë vendim të PZAP pa diskredituar veten e saj. Gjykata Supreme nuk mbrojti Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Madje, ajo nuk mbrojti as vetëm të drejtën dhe të vërtetën. Gjykata Supreme mbrojti vetveten. Ajo ndodhej në një situatë groteske: çfarëdo qëndrimi tjetër do ta zhvlerësonte vetë Gjykatën Supreme. Nuk ishin në pyetje vetëm e drejta dhe e vërteta por edhe vetë instanca supreme juridike për këto. Gjykata Supreme vendosi në favor të Gjykatës Supreme.

Le të numërohen qetë e me vigjilencë votat e mbetura. Nuk do të përsëritet numërimi. Le të përsëritet festimi./Indeksonline/