75 Mall Live Search
16:31 / E Premte, 06 Mars 2026 / A

Kurti: Hamza kërkoi që PDK të propozojë dy kandidatë për president, unë ofrova Andin Hotin si kandidat unik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media për situatën e fundit politike në vend dhe diskutimet që janë zhvilluar me opozitën rreth çështjes së presidentit.

Kurti tha se gjatë takimeve me liderët opozitarë nuk i është propozuar asnjë emër konkret për një kandidat të mundshëm.

“S’ma kanë thënë asnjëherë asnjë emër nga liderët e opozitës. Si të ecim përpara kur nuk ma thonë asnjë emër”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, në fillim ishte diskutuar mundësia që presidenti të ishte një figurë konsensuale, madje ishte përmendur edhe familja Jashari.

“Pikënisja ishte një president konsensual. Natyrisht familja Jashari, natyrisht Murat Jashari. Jam i bindur që nga familja Jashari do të zgjidhej me numra treshifrorë në Parlamentin e Kosovës. Por nuk arritëm deri në atë pikë”, u shpreh ai, shkruan Indeksonline

Kurti tregoi se në një moment, kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që dy nga kandidatët për president të propozohen nga PDK-ja dhe njëkohësisht të arrihet një marrëveshje politike.

“Bedri Hamza më tha se ata kërkojnë që dy kandidatët për president të jenë të propozuar nga PDK-ja dhe njëkohësisht të bëhet marrëveshje politike. Unë ia kam shpjeguar me dashamirësi që një gjë e tillë është e pamundur”, tha Kurti.

Ai theksoi se nuk mund të ketë marrëveshje politike pa u ditur paraprakisht emri i kandidatit për president dhe se një propozim i tillë nuk është i mundur brenda strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk është e mundshme që në kryesinë e LVV-së kryetari të propozojë kandidatin e PDK-së”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se nga ana e tij ka propozuar Andin Hoti si kandidat unik për president, duke theksuar se ai është djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti.

“S’e pranuan, por nuk deshën as të flasin për emra të tjerë. U thashë: ma thuani një emër tjetër, por nuk ma thanë. Më vjen keq, por kështu nuk është e mundur të ecet përpara”, tha Kurti. /Indeksonline/