75 Mall Live Search
18:26 / E Diele, 24 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kurti: I ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin në pazar

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar lidhur me raportimet e fundit lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve dhe se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka mundësi të bëhet më 12 qershor në Washington.

Kurti tha se opsione për Kosovën po bëhen mjaftueshëm, me 13 pika, me 16, me 17 e me 22 pika.

Sipas tij e gjithë kjo sepse presidenti i  Kosovës e ka vënë shtetin në pazar dhe po thotë se u bë ‘aksham’, transmeton Indeksonline.

Tutje ai tha se, Kosovën do ta çmontojë dhe ta falë, ose ta shesë pjesë-pjesë.

Postimi i plotë:

Opsione për Kosovën, sa të duash. Me 13 pika, me 16, me 17, me 22 pika! Sepse i ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin tonë në pazar dhe po thotë se u bë aksham. Kosovën don ta çmontojë dhe ta falë ose shesë pjesë-pjesë: dikujt Trepçën, tjetërkujt Ujmanin, me përqindje KEK-un, Mitrovicën ta bëjë Bërçko, kishat e manastiret ortodokse Hilandar, dhe, statuse speciale gjithandej diku 35 e diku 99 vjet. Çka i bie kjo, si Bosnja, si Palestina apo si Hong Kongu? Paj, të trija këto. Ama në fund të dialogut na vjen njohja, thotë edhe qeveria porsi ai – pra, do të njihet ajo që mbetet nga Kosova, ndërkohë që e kanë pranuar mosnjohjen e Serbisë. Këta njerëz edhe pavarësinë ta varin.