75 Mall Live Search
22:06 / E Diele, 05 Dhjetor 2021 / AR

“Kurti i ka të mbyllura dyert”, kryeministri kritikohet nga opozita për mos-vizitën në ShBA

Vizita e paralajmëruar e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit nëntor, e cila nuk u realizua, po kritikohet nga opozita e Kuvendit.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, lidhur me këtë çështje thotë se Qeveria Kurti nuk është aspak transparente sa i përket politikës së jashtme apo dialogut Kosovës-Serbi.

Ajo në një prononcim për mediumin online Paparaci shprehet se për shkak që Kosova nuk ka pasur ambasador në ShBA dhe sa i përket koordinimit apo caktimit të agjendës mund të ketë qenë edhe njëra ndër problemet e mosrealizimit të vizitës së Kurtit atje gjatë këtij viti.

“Ne si opozite kemi të bëjmë me një qeveri që nuk është aspak transparente sa i përket politikës së jashtme, dialogut, procesit të integrimit, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare e po ashtu edhe lobimit për njohje të reja. Sa i përket vizitës së KM në ShBA, vlerësoj të jetë me një interes të veçantë për shtetin tonë, marrë parasysh faktin që asnjë zyrtar i lartë i Kosovës përfshi këtu KM dhe Presidenten nuk kanë takuar që nga zgjedhja e tyre asnjë zyrtar të lartë në Administratën Amerikane”.

“Ne nuk kemi pasë as ambasador në ShBA dhe sa i përket koordinimit dhe caktimit të agjendës mund të ketë qenë edhe njëri ndër problemet e mosrealizimit të vizitës gjatë këtij viti, duke mos lënë anash edhe qëndrimet e kësaj qeverie karshi çështjeve të rëndësishme dhe me interes të ShBA-së për Kosovën dhe rajonin. Sidoqoftë, rendësi të madhe ka se me kënd do të takohet KM dhe temat të cilat do të diskutohen”, tha ajo për Paparacin.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, deklaroi se Qeveria Kurti ka dëmtuar raportet me Shtetet e Bashkuara dhe kjo sipas saj, është fakt i pakontestueshëm.

Mes tjerash, deputetja nga Vushtrria për pohon se kryeministri Kurti i ka të mbyllura dyert me ShBA-në.

“Qeveria Kurti ka dëmtuar raportet me ShBA-në, ky fakt tashmë është i pakontestueshëm. Jemi dëshmitar të qasjes së gabuar që kjo qeveri e ka ndërtuar me partnerin tonë strategjik ShBA-në dhe në këtë kontekst lirshëm mund të japim konstatime se Kryeministri Kurti i ka të mbyllura dyert në ShBA, prandaj edhe nuk ndodhi vizita e raportuar për muajin nëntor, për të cilën njëherë u raportua në media se i është refuzuar viza. Nuk e di me çfarë arsyetimi tani do të dalin para qytetarëve, por ajo që dihet është se kjo qeveri e papërgjegjshme ka dëmtuar raportet me aleatin tonë kryesor ShBA-në dhe duhet të ndryshohet qasja, në mënyrë që mos të rrezikohen më tepër raportet tona”, vlerësoi ajo për Paparacin.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator të këtij viti, gjatë një seance plenare të Kuvendit, pati deklaruar se gjatë muajit nëntor do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Qeverisë pati deklaruar atëkohë se nuk ka aplikuar për vizë në ShBA, pasi sipas tij, ai do të udhëtojë në nëntor, muaj ky i cili ka përfunduar, por që vizita e tij në shtetin më të fuqishëm në botë ende nuk ka ndodhur, shkruan Paparaci.

Madje nga Qeveria kanë thënë se vizita e Kurtit është shtyrë për vitin tjetër.

Megjithëkëtë, Kurti nuk do të udhëtojë për në SHBA këtë vit.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Uashingtonin”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë Kurti.