Kurti i prekur nga vdekja e Arzana Krajës: La shenja në artin kinematografik!
Lideri i Lëvijzes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen Kraja, për vdekjen e regjisores kosovare, Arzana Kraja.
Kurti ka thënë se Arzana ka lënë shenja në artin kinematografik.
Ky është postimi i tij i plotë:
Arzana Kraja nuk rron më. Pikëllimi ende nuk po mund t’ia zë vendin tronditjes. Ngushëllime familjes Kraja, shoqërisë së saj, artistëve tanë.
Arzana Kraja është regjisore e skenariste që la shenja në artin tonë kinematografik. Punëtore e madhe e me shumë talent. Atë po e prisnin edhe shumë punë të tjera, e neve edhe shumë filma të saj. Iku shumë herët.
“Na duhen shumë idealistë.”, thoshte Arzana kur e shpjegonte filmin e saj “Fusha e Mëllenjave”. Syla, personazhi kryesor i këtij filmi të saj të fundit, ish i burgosur politik, e gjen veten mes mashtrimit dhe tradhtisë. Në Kosovë ai kthehet pas 20 viteve, me shpresën se do të kuptonte se çfarë ka ndodhur në të vërtetë…
Pushofsh e qetë Arzana.