75 Mall Live Search
22:10 / E Diele, 05 Tetor 2025 / F.R

Kurti i tha “multi-milionerë”, reagon Lushtaku: Skenderaj s’bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje e sanksione

Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku ia ka “kthyer” akuzat që kryeministri Albin Kurti ia ka bërë këtij të parit.

Kurti, duke tentuar t’i ndihmojë kandidatit të partisë së tij në Komunën e Skenderajt, ka sulmuar Sami Lushtakun, përcjell Periskopi.

Kurti, pa përmendur emrin e tij, iu është referuar Lushtakut si “multi-milioner” dhe ka thënë se është “ish-komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit”.

“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim”, deklaroi Kurti.

Lidhur me këto akuza ka reaguar Lushtaku, i cili e ka quajtur demagog Kurtin dhe ka thënë se Kosovës i solli vetëm përçarje e sanksione nga ndërkombëtarët.

“Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998”, deklaroi Lushtaku.

“Skenderaj si gjithmonë demagogëve ju thotë JO!”