15:25 / E Hënë, 08 Korrik 2019 / indeksADMonline

Kurti ia rikujton Thaçit letrën që ia dërgoi Trumpit para gjashtë muajsh ku shkruante se marrëveshja me Serbinë është afër zgjidhjes

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij Faceboook ia ka kujtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit një deklaratë të tijën të cilën ky i fundit e kishte bërë para gjysmë viti, pas një letre që ia kishte shkruar presidentit amerikan, Donald Trump e që kishte bërë në Ushington, e që ka të bërë me dialogun me Serbinë.

Kurti thotë se edhe pas gjashtë muajsh Thaçi nuk ka marrë asnjë përgjigje. E zgjidhjen e dialogur me Serbinë, lideri i VV-së e quan si pazar dhe projekt të dështuar.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani.” (8 janar 2019)

Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme).

Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?

Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi.

Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar.