Kurti: Kam lëvizur 10 herë për të plotësuar kërkesat e sindikalistëve, nxënësit të kthehen në shkolla

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka lëvizur 10 herë për të plotësuar kërkesat e sindikalistëve të arsimit.
Kurti, në një konferencë për media, pas takimit të pati me Këshillin Grevist, u bëri thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të kthehen në shkolla.
“Unë kam lëvizur të paktën 10 herë në kërkesat e sindikalistëve të arsimit, andaj pikërisht për këtë arsye edhe një herë kërkojë që nxënësit të shkojnë në shkollë e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Të parët të mësojnë e të dytët të japin mësim. Nuk bën bojkot e grevë shteti sepse shkolla është shteti”.
“Nuk është e vërtetë që nuk ka pasur komunikim dhe nuk është e vërtetë që nuk ka pasur dialog dhe më së miri kjo gjë u pa sot. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë më tha që le të dalim nga kjo situatë, unë besoj që në situatë të vështirë nuk është SBASHK-u e as Qeveria, por arsimi”, tha Kurti.
Tutje, Kurti thotë se ndonëse Këshilli i premtoi atij se do t’i diskutonte ofertat me anëtarësinë, pas takimit Jasharaj, tha se greva do të vazhdojë.
“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot grevistëve, për të cilat ata neve na premtuan që do ta pyesin anëtarësinë. Por sa dolëm nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon, kur e pyeten anëtarësinë? Oferta shtesë ishte kjo: do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat. Sepse diskutimet preliminare po përfundojnë. Dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK-në do ta bëjmë reformën e sistemit pensionale duke e hequr atë pragun famëkeq prej 15 vjet përvojë punë dhe u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojnë 10 milionë euro”, ka thënë Kurti.
Kërkesën prej 100 eurove, Kurti e ka quajtur shantazh dhe pazar.
“Kanë kërkuar 100 euro, ne kemi thënë 50, po o krejt o hiq. Nuk është e drejtë kjo lloj logjike e shantazhit dhe e bërjes pazar. Nuk bën pazare kryeministri dhe në pyetjen e tyre se qeveria ka para, sërish nuk e kanë ndjenjën e shtresave të cilat janë edhe më të varfra”.
“Nuk do të duhej shtetit të shtantazhohet nga dikush që është më i zëshmi, dhe jo për kushtet re punës por për para. Unë dua që paga e mësimdhënësit të lidhet me nxënësit gjithnjë më të mençur e më të ditur që dalin çdo vit nga shkollat tona”, tha Kryeministri Kurti.