Kurti kërkon falje për gabimin lidhur me Besarta Jasharin

Kryeministri Albin Kurti në akademinë përkujtimore të 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar falje për gabimin që bëri dje në Kuvend, ku e tha se Besarta Jashari është e bija e kryekomandantit Adem Jashari.
Në fakt, Besarta Jashari është mbesa e Adem Jasharit dhe vajza e heroit Hamëz Jashari.
“E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandantit Adem Jasharit – Besarta”, kishte thënë kryeministri Kurti.
Kurti, sot kërkoi falje për gabim e bërë.
“Më lejoni fillimisht të kërkoj falje që në tekstin e fjalimit të djeshëm në Kuvendin e Republikës më është përvjedhur një gabim dhe kam thënë që Besarta është vajza e kryekomamdantit Adem Jasharit në vend se të them e Hamzë Jasharit”, ka thënë Kurti.
Ai ka vazhduar duke thënë se kjo i ka ndodhur pasi shumë shpesh i ngjan se të gjithë ata që janë gjallë janë fëmijë të kryekomandantit Adem Jashari dhe të nënës së tij heroinë.