13:11 / E Diele, 27 Qershor 2021 / AR

Kurti kërkon nga anëtarët e VV-së t’i ndalin fushatat negative dhe vetëkandidimet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka folur edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Ndër të tjera ai ka thënë se VV synon t’i fitoj ¾ e komunave duke konfirmuar se bashkëpunimi me Listën Guxo do të vazhdoj edhe për këto zgjedhje.

Por, ajo që bie në sy është edhe një deklartë drejtuar anëtarëve të VV-së ku thotë se Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivist, thotë ai, nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin, transmeton “Indeksonline”.

Ai ka bërë thirrje që të ndalen fushatat negative dhe të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes.

“Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo asnjë komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku.

Pushteti nuk duhet të na ndryshojë, por për të mos rënë pre e ndryshimit, duhet t´ia kujtojmë vetes vazhdimisht idealet tona, dhe sakrificat e dëshmorëve. Ne duhet të jemi vazhdimisht syhapur, dhe të sinjalizojmë parregullsitë në raport me qeverisjen dhe administratën, siç janë edhe qytetarët në vendet e zhvilluara evropiane e perëndimore. Vetëm ashtu do të mund ta zhvillojmë e fuqizojmë vendin tonë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.