Kurti komenton ndarjen e shtesave prej 100 eurosh: Çdo vit…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti thotë se vendimi për ndarjen e shtesave të fundvitit prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët nuk është asgje e re, por e re është se qeverisja e tij do të vazhdojë edhe për një mandat.
Dje, qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë nga 100 euro mbështetje për fëmijët dhe pensionistët.
Kurti këtë vendim e komentoi pas përurimit të stadiumit në komunën e Shtimes. Ai tha se shtesat në kohë festash si qeveri i ka ndarë edhe dy vitet paraprake.
“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar, a kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë, para vitit të ri, kur kemi dimër dhe kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, tha ai.
Vendimi i qeverisë në detyrë për ndarjen e shtesave të fundvitit në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët u kritikua duke u konsideruar si vendim për blerje votash, meqenëse vendi ndodhet në fushatë zgjedhore.
Kujtojmë se edhe vitin e kaluar, qeveria e Kosovës, në prag të festave të fundvitit, kishte ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

