Kurti: Kosova dëshmi se zhvillimi ekonomik e progresi demokratik ecin bashkë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti studentë nga Universiteti francez Sciences Po, Universiteti i Humboldt, Universiteti i Shkupit dhe Universiteti i Ri i Bullgarisë. Ai tha se Kosova është dëshmi ku zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin së bashku.
Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se kryeministri Kurti tha se Kosova është dëshmi se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin së bashku, derisa shtoi se vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike me një mesatare vjetore prej 6% në katër e fundit, si dhe Kosova arriti përparim në indekse ndërkombëtare mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut ndër të tjera.
“Krahas rritjes ekonomike të arritur në katër vitet e fundit, si qeveri kemi punuar në rishpërndarjen e kësaj rritjeje edhe drejt qytetarëve, në format e subvencioneve për fermerë, arsim publik falas, shtesa për fëmijë dhe nënat e reja, rritje të pagës minimale dhe pagave në sektorin publik e privat”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Kurti vuri në dukje se punësimi u rrit, me theks tek të rinjtë dhe gratë, dhe papunësia ra nga mbi 25 për qind në nën 11 për qind, gjersa kryeministri theksoi edhe mbështetjen e përkrahjen ndaj bizneseve, të cilat rritën vitet e fundit qarkullimin e tyre dhe punën e bërë në drejtim të lidhjes së ekonomisë me tregun e punës përmes arsimit dual.
Në vijim, Kurti theksoi edhe investimet në fusha kyçe e strategjike, përfshirë edhe sigurinë e mbrojtjen, si dhe orientimin dhe aspiratat për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Në këtë shkëmbim me studentët kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve të tyre ku u prekën gjithashtu temat e marrëdhënieve në rajon dhe në veçanti me Serbinë, masat e ndërmarra në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes, rreziqet të cilat kanosen në gjithë Evropën siç janë kërcënimet hibride dhe rritja e fashizmit dhe detyra për t’i përballuar ato, ndërsa pati bisedë gjithashtu mbi autorët e filozofisë politike dhe të sociologjisë”, thuhet në komunikatë.