75 Mall Live Search
14:59 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / S Z

Kurti: Kosova edhe këtë vit do të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka mirëpritur anëtarë nga Shoqata Gjermane për Kombet e Bashkuara (DGVN), me të cilët ka folur rreth arritjeve dhe sukseseve të qeverisë përgjatë këtij mandati.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se në katër vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare e vendit ka qenë rreth 6%, duke paralajmëruar që sipas FMN-së Kosova do të vijojë të jetë e para në rajon edhe këtë vit sa i përket rritjes ekonomike.

“Kjo është arritur ndër të tjera edhe falë dyfishimit të investimeve të huaja direkte, dyfishimit të eksporteve dhe uljes së papunësisë”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se ‘sipas modelit gjerman, edhe në Kosovë, po e lidhim përmes sistemit dual, arsimin me tregun e punës’.

Ndër arritje të tjera të qeverisë dhe punës së zhvilluar gjatë katër viteve të fundit, kryeministri në detyrë ka theksuar edhe liberalizimin e vizave, e cila sjell lëvizjen e lirë drejt vendeve të zonës Shengen.

“Kryeministri foli edhe rreth rëndësisë së diasporës, veçanërisht në Gjermani ku jetojnë rreth 600 mijë shqiptarë, të cilët janë urë e fuqishme në ndërlidhjen mes dy shteteve tona. Duke i falënderuar Shoqatën Gjermane për Kombet e Bashkuara për bashkëbisedimin dhe vizitën në vendin tonë, kryeministri Kurti i uroi qëndrim të frytshëm dhe produktiv në Kosovë”, thuhet në komunikatë.