Kurti: Krime ka kryer Serbia e Millosheviqit, barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal i papranueshëm
Krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe procesi gjyqësore në Hagë u përmendën si çështje qendrore në fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë.
Ai theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit, ndërsa foli edhe për akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve edhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë, dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”, tha ai.
Kurti theksoi se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk qëndrojnë, dhe se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.
“Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve edhe përpiqemi që ta ruajmë e ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.
Më tej i pari i ekzekutivit tha se brazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm.
“Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, theksoi kryeministrit Kurti.

