21:34 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kurti lajmërohet nga burgu, këto janë fjalët e tij

Katër deputetët nga Lëvizjes Vetëvendosje janë paraqitur sot gjatë ditës në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës. Në gjykatë ishte edhe Albin Kurti, i cili edhe ka mbajtur një fjalim, të cilin pak minuta më parë e ka postuar në profilin e tij në Facebook.

Kurti bashkë me Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun po akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Kjo është fjalimi i Kurtit që dha sot në Gjykatë:

Data: 20 dhjetor 2017

Më datë 25.08.2015, në Bruksel, është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafës dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiqit. Një ditë më vonë më 26.08.2015, në Vjenë është nënshkruar marrëveshja për Demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, nga pala kosovare, zv.kryeministri i athershëm Hashim Thaçi dhe ministri i brendshëm, Skender Hyseni, me homologët e tyre malazezë.

Të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar atëherë kur Kuvendi i Kosovës ndodhej në pushim. Nuk kishte asnjë seancë plenare, në të cilën do të diskutohej përmbajtja dhe forma e atyre marrëveshjeve. Në qershor të po atij viti, Kuvendi i Republikës, deputet i së cilës isha edhe asokohe, ka miratuar një rezolutë në bazë të së cilës duhet që të diskutohet në Kuvend të Republikës, paraprakisht, çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare, përkatësisht marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Në muajin shtator dhe tetor të vitit 2015, ne e kemi alarmuar opinionin publik në Kosovë, për këto dy marrëveshje jodemokratike, jokushtetuese, e të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.