Kurti: Luan Haradinaj ishte luan me emër dhe luan me vepër

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar Luan Haradinajn duke thënë se ai ishte “luan me emër dhe luan me vepra”.
“Luan Haradinaj ishte një zemërluan, zemra e të cilit pushoi së rrahuri si sot më 6 maj 1997, i qëlluar nga forcat okupatore serbe në Qafëmullar. Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë kufi që e kishte kaluar me dhjetëra herë, duke bartur edhe armë bashkë me shokët, disa prej të cilëve po ashtu do të binin dëshmorë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Shefi i qeverisë kosovare tha se Luan Haradinaj, si një nga themeluesit e UÇK-së, realizoi edhe i vetëm shumë aksione guerile kundër policisë serbe.
“Ai kishte vullnet për të studiuar siç kishte edhe vullnet për të luftuar, derisa ra dëshmor për lirinë e Kosovës, këtu e 25 vjet më parë. Ndonëse ishte vetëm 23 vjeçar kur ra dëshmor, Luan Haradinaj ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjeteve logjistike të saj. Lavdi veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre paguan lirinë e të gjithë neve!”.