12:56 / E Martë, 12 Mars 2019 / indeksADMonline

Kurti: Lufta e II Botërore ka mbaruar, mirëpo duket se ajo e para ende jo

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka shkruar një shkrim rreth përvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.

Sipas Kurtit, Lufta e Parë Botërore nuk ka nisur me vrasjen e Arkidukës Franz Ferdinand më 28 qershor 1914, por me vrasjen e mbretit Aleksandar Obrenoviq më 11 qershor 1903.

“Nuk do ta kishim atentatorin Gavrilo Principi në Sarajevë pa kapitenin Dragutin Dimitrijeviq në Beograd. Profesori i historisë moderne evropiane nga Universiteti i Cambridge-it, Christopher Clark, ka një libër të shkëlqyeshëm për këtë me titull: “Sleepwalkers: How Europe went to war in 1914” (Somnabulwt: Si shkoi Evropa në luftë më 1914)”, ka shkruar ai.

Më tej, Kurti theksoi se një shekull pas vrasjes së mbretit Aleksandar I, vritet kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003. Këto dy vrasje, janë e njëjta vrasje.

“Nuk do t’i kishim Karaxhiqin, Mladiqin e sot Dodikun në Bosnje, pa Milosheviqin, Sheshelin e sot Vuçiqin në Serbi. Serbia e këtillë është pengesa kryesore evropiane e Bashkimit Evropian. Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar, mirëpo duket se ajo e para ende jo. Rusia e nxit Serbinë, e cila e tërheq Francën në danse macabre? Nuk mjafton të shpresojmë se hera e parë ishte tragjedi e tash kjo e dyta është veçse farsë”, është shprehur ai. /Indeksonline/