Kurti me deputetë vizitojnë Kullën dhe mullirin e Haxhi Zekës
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti me disa deputetë të tjerë kanë vizituar sot Kullën e Haxhi Zekës dhe Mullirin e tij, në rastin e 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës.
Në komunikatë për media, VV ka shkruar se më 23 janar të 1899-tës, në këtë vend u mblodhën delegatë të gjitha trevave shqiptare dhe morën mbështetje për zhvillimin e aktiviteteve të tyre jashtë vendit, transmeton Indeksonline.
Më poshtë njoftimi i VV-së:
Në shënim të 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës dhjetëra anëtarë dhe aktivistë së bashku me zyrtarë nga qendrat e Lëvizjes anë e mbanë Republikës së Kosovës dhe deputetë të prirë nga Kryetari Albin Kurti vizituan Kullën e Haxhi Zekës dhe Mullirin e tij.
Më 23 janar të vitit 1899, Kuvendi Kombëtar Shqiptar mblodhi në Pejë delegatë të trevave shqiptare, përmes organizimit nga patriotë të shquar si Haxhi Zeka dhe Bajram Curri, dhe me mbështetjen e shoqërive atdhetare shqiptare që zhvillonin aktivitetin e tyre jashtë vendit.
Punimet e Kuvendit zgjatën deri më 29 janar me tubime që në disa raste përfshinin deri në 500 pjesëmarrës.
Kuvendi shpalli formimin e “Lidhjes së Pejës” nën shembullin e “Lidhjes së Prizrenit”, e cila ishte shtypur më herët me dhunë nga pushtuesit. “Lidhja e Pejës” kishte për synim organizmin edhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Ajo themeloi menjëherë një ushtri dhe filloi punën edhe për pajtimin e gjaqeve dhe hapjen e shkollave shqiptare, duke marrë përkrahje të gjerë nga figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Faik Konica, etj.







