75 Mall Live Search
09:49 / E Shtunë, 02 Mars 2024 / A. M.

Kurti me një status të gjatë në Facebook, flet për vizitën në Londër dhe Irlandë

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka bërë një përmbledhje rreth vizitës në Mbretëriën e Bashkuar dhe Irlandën.

Sipas tij, vizita në Londër u përmbyllë në Dublin, ku ishte kënaqësi të kthehem pas 20 vjetëve.

“Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit”.

Postimi i plotë:

Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ishin destinacionet e radhës të vizitave tona zyrtare.

Vizitën që e nisëm në Londër e përmbyllëm në Dublin, ku ishte kënaqësi të kthehem pas 20 vjetëve. Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit.

Ndërkaq në Londër, i shoqëruar dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ishim pjesëmarrës në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në panelin diskutimi mes krerëve të gjashtë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, folëm për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor. E në kuadër të këtij samiti, nënshkruam me BERZh-in memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, dëshmi kjo e përkushtimit, maturisë e punës sonë të vazhdueshme në thithjen e fondeve nga institucione ndërkombëtare financiare.

Në fundjavë, patëm pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga ambasada jonë në Londër ku të ftuar e të ftuar e të pranishëm ishin dashamirë e aleatë të shtetit tonë. Kurse në fillim të javës, u mblodhëm bashkë me Miqtë Laburistë të Kosovës, nismë kjo që do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të pranishëm ishin dhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Ëakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Ëayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Tëist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është edhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, si dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.

Nga Londra, shkuam në Belfastin historik. Zhvilluam takime me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly, Kryetarin e Parlamentit, Edëin Poots, liderin e opozitës, socialdemokratin Mattheë O’Toole dhe Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris.

Bisedat të cilat i patëm me ta ishin inkurajuese dhe pozitive. U njohëm më mirë me përvojat dhe përjetimet e tyre nga historiku i Irlandës Veriore, por edhe ndamë me ta atë se çfarë Kosova përfaqëson, si shtet demokratik, me orientim të qartë pro-perëndimor e politika dhe objektiva progresiste, gjithëpërfshirëse e zhvillimore. Theksuam edhe rëndësinë e thyerjes së barrierave mes komuniteteve dhe nevojën për ballafaqimin me të kaluarën dhe kontributin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Në Irlandën Veriore vizitova edhe shkollën fillore Nettlefield, ku pashë nga afër dhe në praktikë zbatimin e sistemit të “Arsimit të Përbashkët”. Në Queen’s University isha i ftuar për një ligjëratë të cilën me kënaqësi e kisha pranuar dhe me shumë vëmendje iu përgjigja pyetjeve dhe kureshtjeve të audiencës në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.