75 Mall Live Search
20:53 / E Hënë, 12 Korrik 2021 / AR

Kurti me video-mesazh sportistëve që do ta prezantojnë Kosovën në Tokio, iu jep një lajm të keq

Ekipi Olimpik i Kosovës sot është mbledhur në ceremoninë e dorëzimit të flamurit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në atë ceremoni po mungon Kryeministri Albin Kurti, për shkak të angazhimeve jashtë vendit.

Por, përmes një video-mesazhi nga Athina Kurti iu drejtua sportistëve, ku tha se është krenar për punën që po e bëjnë, shkruan Indeksonline.

Kryeministri Kurti po ashtu tregoi që nuk do të mund të jetë i pranishëm në Tokio që t’i përkrahë nga afër.

“Në pamundësi të jem sot aty me ju, po ju drejtohem nga vendi i origjinës së Lojërave Olimpike antike dhe nikoqire të Lojërave Olimpike moderne nga Greqia, nga Athina.

Ndodhem këtu për dy konferenca ndërkombëtare dhe një sërë takimesh zyrtare.

Të dashur sportistë dhe trajnerë sot po e festojmë pasionin, punën dhe sakrificën tuaj për përfaqësimin e Kosovës në sport. Disa prej juve ju kam takuar personalisht, dhe përkushtimi juaj në punë është shembull edhe jashtë sportit.

Nuk është vetëm aftësia apo talenti juaj në sport që duhet të na inspiroj të gjithëve, është angazhimi dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm, përpjekjet që ju i bëni ditë për ditë për të ngadhënjyer.

Sot do të pranoni flamurin e shtetit me të cilin do të përfaqësoni Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Rezultatet që i keni arritur deri tani na bëjnë krenar secilin prej nesh dhe përkundër që po shënojmë vetëm pjesëmarrjen e dytë në Olimpiadë na keni mundësuar të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.

Përgjegjësinë që mbani me vete në Tokio është shumë e madhe. Do të përfaqësoni çdo qytetar të Kosovës përballë shteteve qindra herë më të mëdha se Kosova dhe me traditë shumë më të gjatë në sport.

Nuk është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ajo që sot po e festojmë, por është fitorja juaj në të cilnë të gjithë ne e shpresojmë.

Ndonëse nuk do të jem i pranishëm në Tokio për t’ju përkrahur nga afër, më lejoni që në emër të çdo qytetari të Kosovës t’ju falënderohem për mundin që e keni bërë dhe kontributin që e keni dhënë.

Dhe tju them se e gjitha Kosova do të jetë mbrapa juve duke ju përcjellur përmes televizionit dhe duje ju përkrahur nga larg, por me zemër. Shumë suksese secilit prej jush”, tha Kurti.

Kujtojmë që Olimpiada në Tokio fillon me 23 korrik dhe mbaron me 8 gusht./Indeksonline/